Opozita do “kokën” e Xhaçkës, Rama: Vesi del me shpirtin, ata nuk ndryshojnë, gjynah të merremi

Ndërkohë që në komisionin e mandatave po kërkohet mandati i ministres Olta Xhaçka lidhur me investimin strategjik të burrit të saj, këtë komision e ka komentuar edhe kryeministri Rama.

Ai me ministren në krah, duke iu referuar opozitës, u shpreh se vesi del me shpirtin dhe se ata nuk do të ndryshojnë kurrë.

Kryeministri shtoi se ai e ka shumë të qartë, pasi çdo minutë i humbur për tu marrë me opozitën është gjynah i madh.

Rama: Ka kohë që ka kaluar koha që ne, flas për vete e pjesën tonë, të dorëzohemi përpara faktit që vesi del me shpirtin e këta që merren me këtë punë nuk do të ndryshojnë kurrë, kurrë për fat të keq. Ne natyrisht jemi shumë mikpritës për çdo shenjë ndryshimi, por këta nuk do të ndryshojnë mesa duket. Kjo tërheqja zvarrë e çdo gjëje dhe e kujtdo qoftë që u del përpara për të bërë linçime është praktikë që mesa duket nuk do të ndryshojë.

Zgjedhja dhe rruga jonë është e përcaktuar. Ose do të bëjmë punën duke qenë të vetëdijshëm që nuk jemi perfekt, do të bëjmë dhe gabime, kemi të metat tona ose do të merremi me këta. Unë e kam shumë të qartë, çdo minutë i humbur për tu marrë me këta është gjynah i madh. Nuk shoh asnjë problem të natyrës së ngritur në këtë furtunë në gotë, por le ta gjykojnë institucionet.