Sharka i revoltuar: Kjo qeveri është arrogante, nuk i di detyrat, duhet të orientojë fermerët se çfarë duhet të mbjellin
Përfaqësues i sindikatës së fermerëve, Eduard Sharka, është shprehur se ka mungesë tregu për produktet e fermerëve si dhe kosto të lartë të prodhimit për shkak të rritjes së çmimit të imputeve.
Eduart Sharka: Kemi mungesë tregu për produktet e fermerëve, kemi kosto të lartë të prodhimit për shkak të rritjes së çmimit të imputeve si efekt i krizës globale, kemi subvencione me pikatore që pothuajse se nuk janë të ndjeshme fare për fermerin, kemi skema diskriminuese për fermerin. Kjo është situata për fat të keq.
Në një intervistë për Ora News, Sharka tha detyra e qeverisë është të merret me problemet e fermerëve, ndërsa shtoi se kjo qeveri nuk i di detyrat.
Sharka u shpreh se është qeveria ajo që duhet të orientojë fermerët se çfarë duhet të mbjellin në mënyrë që të shiten prodhimet.
Eduart Sharka: Qeveria shkarkoi përgjegjësinë te fermerët, kurrsesi nuk duhet të ishte ky mentalitet. Detyra e qeverisë është të merret me problemet e fermerëve dhe me probleme të tjera se sa shitja e produkteve. Kryeministri ka një gabim të madh, tregon se kjo qeveri nuk i di detyrat ose nuk do t’i dijë. Është arrogante. Studimi i tregut dhe orientimi i fermerëve në të gjithë vendet e rajonit dhe më tej bëhet nga qeveritë. Është qeveria ajo që duhet të orientojë fermerët se çfarë duhet të mbjellin që produktet e tyre t’i afrohen kërkesave të tregut që të mos kemi stogje apo hedhje të produkteve.
Më tej ai shtoi:
Qeveria në vend që të ndryshonte qasje të shtonte financimet për bujqësinë e ka përgjysmuar, edhe financimet që janë dhënë jepen në formë diskriminuese. Për blektorinë kanë aplikuar 6000fermerë për të përfituar atë 100 mijë lekë të vjetra dhe vija e kuqe që ndan përfituesit nga jo përfituesit është në 2970. Pavarësisht nëse i plotësojnë kriteret të 6000 fondi mjafton për tre mijë. I vetmi kriter që ndan fituesit nga jo fituesit është koha e aplikimit. Këto janë politika të gabuara po çojnë në braktisjen e Shqipërisë.
