KPA nuk pranon ankimimin e gjyqtares Enkeleida Hoxha për shkarkimin nga detyra

Kolegji i Posaçëm i Apelimit e ka refuzuar kërkesën e gjyqtares Enkeleida Hoxha lidhur me procedimin disiplinor shkarkim nga detyra nga KLGJ.  

Vendimi është marrë në KPA nga Albana Shtylla si kryetare dhe Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo si anëtarë.

Vendimi i KPA-së:

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, i përbërë nga Albana Shtylla kryetare, Ina Rama, Mimoza Tasi, Natasha Mulaj, Rezarta Schuetz, Sokol Çomo anëtarë, shpalli vendimin për çështjen (JD) nr. 4/2021, datë 21.05.2021, që i përket ankueses Enkeleida Hoxha kundër vendimit të Këshillit të Lartë Gjyqësor nr. 92, datë 17.03.2021, me subjekte të interesuara, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Inspektorin e Lartë të Drejtësisë.

Në përfundim të gjykimit, Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në mbështetje të neneve 131, pika 1, shkronja “f” dhe 134, pika 1, shkronja “i” e Kushtetutës, si dhe neneve 71 dhe 72 të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000, “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, në mënyrë unanime, vendosi:

Mospranimin e ankimit të magjistrates Enkeleida Hoxha, kundër vendimit nr. 92, datë 17.03.2021, të Këshillit të Lartë Gjyqësor “Për caktimin e masës disiplinore ndaj gjyqtares Enkeleida Hoxha”.

Ky vendim është përfundimtar, i formës së prerë dhe hyn në fuqi ditën e botimit në Fletoren Zyrtare.