Bozdo: PD është e bashkuar për protestën e 7 korrikut, shumica absolute e grupit parlamentar do marrë pjesë
Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Eno Bozdo, është shprehur se PD, është e bashkuar për protestën e 7 Korrikut.
Në një intervistë për RTV Ora, me gazetaren Besmira Pelushaj, është shprehur se kjo protestë ka bashkuar shumicën e anëtarëve të grupit parlamentar të PD, përjashtuar dy persona, por pa i thënë emrat.
Eno Bozdo: PD është e bashkuar për protestën. Kjo protestë duket se ka bashkuar shumicën absolute të anëtarëve të grupit parlamentar. Janë vetëm 1 ose dy personazhe që refuzojnë të protestojnë kundër kësaj qeverie. Besoj se PD është e bashkuar. Protesta është e rëndësishme, jo vetëm për PD-në , por është e rëndësishme që të shkundim shoqërinë. Nuk ka një kohë të dytë për të protestuar.
I pyetur për deklaratat e Gazment Bardhit dhe Enkelejd Alibeaj, të cilët kanë thënë se nuk marrin pjesë në protestë, Bozdo u shpreh:
Eno Bozdo: Cila është kauza “Non Gratave”, rritja e energjisë, e çmimeve?
Ai tha se kjo nuk është as protesta e parë dhe s’do jetë as e fundit, ndërsa tregoi dhe arsyet e protestës.
Eno Bozdo: E rëndësishme që PD të tregojë se është e gastshme të mbështesë shoqërinë, kurdo që ajo ka nevojë. Nuk është protesta e parë dhe nuk ka për të qenë as e fundit. Nuk duhet të pretendojmë se atë ditë do rrëzojmë Ramën. Ne duhet të ngrijmë frymën e protestës, të japim sinjalin e një opozite që tashmë është kthyer në pozicionin e saj fillestar. (A.K, Ora News)
