Amnistia fiskale, Bozdo: Po i hapim derën djallit, do jetë i pamundur kontrolli i pastrimi të parave në Shqipëri

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Eno Bozdo, ka komentuar draftin e hartuar për amnistinë fiskale, gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë territorit do të mund të ligjërojnë deri në 2 milionë euro, pavarësisht sesi i kanë krijuar të ardhurat.

Në një intervistë për RTV Ora, me gazetaren Besmira Pelushaj, Bozdo tha se me këtë po i hapim derën djallit, pasi sipas tij më pas do e kenë të pamundur që të kontrollojnë, fluksin e parave që futen në Shqipëri dhe pastrohen.

Eno Bozdo: Shqipëria në situatën ku është kthyer e 7 në botë për kultivimin e kanabisit, është kthyer në një qendër tranziti për kalimin e të gjithë drogërave të rënda. E ka të pamundur që të kontrolloj fluksin e parave që mund të futen dhe të pastrohen. Shuma e vendosur prej 2 mln euro, nuk është shumë që i takon emigrantëve, sepse nuk ka emigrantë që mund të ketë kaq para, i takon pikërisht atyre që merren me këtë lloj aktivitetin.

Frika më e madhe, është që po i hapim derën djallin dhe do e kemi të pamundur që të kontrollojmë fluksin e parave që vijnë dhe pastrohen dhe pastaj investohen.

Ai tha se amnistia vjen jo në një moment të përshtatshëm për vendin tonë, ndërsa shpreson që ky ligj të kundërshtohet nga ndërkombëtarët.

Eno Bozdo: Amnistia është shumë e shpeshtë për 30 vite demokraci. Amnistitë, kryesisht vendet i përdorin me sukses si instrumente, kur ka kaluar një fazë tranzicioni dhe kanë kaluar nivel tjetër të shoqërisë që nuk pranon korrupsionin, jo e kundërta. Unë e shoh se nuk mund të bëhet diçka ligjërish për të kundërshtuar këtë reformë. por shpresoj që partnerët ndërkombëtarë, të shprehen përsëri për amnistinë. (A.K, Ora News)