Vrasja e Pjerin Xhuvanit, dy ish-zv/drejtorët e policisë do të hetohen në arrest shtëpie
Ish-nëndrejtorët e Policisë së Elbasanit, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla, do të vijojnë të hetohen në “arrest shtëpie” për rastin e vrasjes së Pjerin Xhuvanit në prag të zgjedhjeve të 25 prillit.
Albert Nushi, zv/drejtor për rendin e sigurinë publike në Elbasan mbërriti dhe doli nga gjykata i pashoqëruar me avokat.
Mohoi të jetë njohur me masë sigurie.
Gazetarja: U njohët me masë sigurie?
Nushi: Jo, jo nuk jam njohur.
Gazetarja: U përfaqësuat me avokat?
Nushi: Jo, ikni tani.
Pas sjelljes së vrazhdë me gazetarët, Albert Nushi nuk iku direkt në banesë për të respektuar vendimin e gjykatës, por u ul përballë në kafe me disa kolegë e vartës.
Drejtuesit e Policisë së Elbasanit akuzohen për "shpërdorim detyre", pasi sipas prokurorisë sjellja në vendngjarjen e 21 prillit të kaluar nuk korrespondon me dëshmitë që dhanë më pas.
Edhe pse ishin të parët që mbërritën në situatën e tensionuar mes simpatizantëve të PD-së e PS-së, Albert Nushi dhe Nikollaq Palla dështuan të parandalojnë konfliktin dhe u fshehën.
Një videofilmim mësohet se i nxori zbuluar.
Për pasojë të shkëmbimit të zjarrit, mjeku Pjerin Xhuvani, eksponent i PS-së mbeti i vrarë, ndërsa 4 persona të tjerë mbetën të plagosur.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore sëbashku me Prokurorinë e Elbasanit hetuan dy drejtuesit e policisë së Elbasanit dhe 6 efektivë, tashmë të shkarkuar, të forcës Shqiponja që ishin prezent në skenën e krimit.
Si autor i dyshuar ndodhet në qeli Arbër Papleka, ish-efefektiv i Forcës Speciale RENEA, pjesë e Strukturës së PD për Mbrojtjen e Votës.