Gnabry ende skeptik për Bayern Munich. Java e ardhshme, vendimtare
Serge Gnabry mban në ankth Bayern Munich pasi nuk ka vendosur ende nëse do të rinovojë kontratën që skadon në fund të sezonit të ardhshëm. Sulmuesi me ngjyrë do të vizitojë javën e ardhshme zyrat e klubit për të diskutuar propozimin e ri të Oliver Kahn dhe sipas asaj që raporton gazeta “AS”, lojtari ka bërë me dije se është i hapur për të vazhduar karrierën në Mynih edhe pse ka shumë oferta në adresë të tij, mes të cilave edhe ajo nga Real Madrid.
Mediat bëjnë me dije se nuk është paga që i mban larg palët por mënyra se si menaxhua situata pasi drejtuesit deklaruan disa herë në publik se Gnabry nuk e ka çuar asnjëherë në mendje çështjen e largimit dhe kjo nuk është e vërtetë.
Joshua Kimmich, Leon Goretzka apo Leroy Sané që janë miq të ngushtë të sulmuesit, e kanë bindur në njëfarë mënyre për të nënshkruar edhe kontratën e re që do të jetë më e mira në karrierën e lojtarit, por në krahun tjetër, ai nuk i ka shkëputur asnjëherë marrëdhëniet me David Alaba, i cili u largua në Madrid dhe vazhdon të punojë në hije për ta bindur të mendojë ofertën e “Los Blancos”. Deri në firmën zyrtare, mund të ndodhë gjithçka.
