Shqiptarët me 2.2 ton kokainë në Peru u përgjuan 24 orë, mediat peruane publikohen pamjet
Dy shtetas shqiptarë janë shpallur në kërkim nga policia e Perusë pas kapjes së ngarkesës me 2 ton kokainë që do trafikohej drejt holandës. Policia ka publikuar foto nga takimet e franc malos e gentian metës me biznesmenë dhe anëtarë të rrjetit kriminal në përpjekje për të organizuar transportimin e drogës e cila u kap para nisjes drejt portit të Roterdamit.
Mediat peruane kanë publikuar ditën e sotme gjurmimin për 24 orë të dy trafikantëve shqiptarë të kapur me 2.2 ton kokainë më 12 qershor 2022.
Dy shqiptarë janë kthyer në personat më të kërkuar nga policia në Peru pasi akuzohen se kanë tentuar të trafikojnë dy ton drogë nga ky vend drejt tregut europian.
Policia ka shpërndarë fotografi nga përgjimet dhe filmimet e fshehta të aktivitetit dhe takimeve që kryenin Franc Malo e Gentjan Meta gjatë tentativave të tyre për të siguruar transportimin e lëndës narkotike.
Pamjet e publikuara sipas policisë tregojnë për lidhje mes dy shqiptarëve dhe biznesmenëve të fuqishëm në Peru. Sipas mediave vendase, Malo dhe Meta kanë hyrë në mënyrë të paligjshme në vend dhe më pas kanë nisur kontaktet me qëllim sigurimin e drogës e cila do të trafikohej për llogari të tyre në tregun europian.
Pasi është vënë në dijeni të aktivitetit të tyre, policia i ka ndjekur 24 orë në shtatë ditë të javës dy shqiptarët duke fiksuar me video komunikimet e tyre me persona të tjerë.
Plani i dy shqiptarëve ishte që nga portet e Perusë të trafikonin drejt vendeve të BE-së të paktën 2.2 ton lëndë narkotike, e cila është sekuestruar nga policia vendase pak ditë më parë para se të nisej për në Holandë.
Lënda narkotike paketohej në kanaçe me qëllim fshehien dhe shmangien e kontrolleve policore. Megjithëse kanë kapur drogën, forcat e rendit nuk arritën të vendosin në pranga Franc Malon dhe Gentjan Metën të cilët kanë arritur të largohen.
Kreu i Drejtorisë së Anti Drogës në Peru tha se dy shqiptarët Malo dhe Meta ishin në krye të grupit që trafikonin lëndën narkotike që kishte për destinacion portin e Roterdamit në Holandë.
“Organizata kriminale kishte lidhje në Kolumbi, Ekuador dhe Shqipëri. Ne po koordinohemi me autoritetet ndërkombëtare për të zbuluar vendndodhjen e dy shqiptarëve” ka thënë zyrtari.
