Shëndetësia falas në rrezik? Petrit Vasili: Ligji aktual nuk shfaq pengesë për të administruar si duhet sistemin
Kërkesa për autonomi spitalore, në Komisionin për punën, çështjet sociale dhe shëndetësinë, ka rritur debatet mes palëve në tryezë. Mazhoranca pretendon se ky ligj do të sjellë përfitime të trefishta.
“Është një vlerë e shtuar dhe do thosha është risi për shërbimin ndaj pacientëve. Prek dhe detajon atë çka mjekët duan për veten dhe spitalin.”
Por opozita vë në pikëpyetje shëndetësinë falas, të reklamuar nga qeveria. Kryetarja e Komisionit Grida Duma, ka kërkuar qartësi të kostove, të cilat do u shtohen qytetarëve edhe në spitalet shtetërore, pasi pretendohet se shërbimi do të jetë i njëjtë me privatin por me një kosto më të ulët.
“Autonomia sipas jush, do të thotë se me një pagesë shtesë në spitalet publike mund të merret një shërbim apo një diagnostikim ambulator për qytetarët shqiptarë, i cili së pari parashikon se od të jetë më I ulët se te private, ndërkohë që ne nuk dimë asgjë për këto.”
Sipas deputeti Petrit Vasili, ligji aktual nuk shfaqë asnjë pengesë për të administruar si duhet sistemin.
“Kjo ka qenë mungesë dëshire për të administruar si duhet sistemin, nuk është se ka pasur pengesë ligji. Ligji s’ka asnjë gjë të re.”
Ndërkaq një tjetër pretendim ngre dhe deputeti Tritan Shehu, i cili kërkon që bashkë autorët e ligjit të sqarojnë përfitimet konkrete që i vijnë qytetarëve prej tij.
“Unë nuk kam besim te Banka Botërore për këtë çështje. Unë kërkon takim me bankën botërore për këtë ligj.”
Një tjetër problem i evidentuar është edhe mungesa e hartës së rrjetëzimit të mjekëve pasi parashikohet lëvizja e tyre në ato qytete ku ka vakanca për mjekë.
