Aksident i rëndë në Belsh-Kuçovë, makina përplas motorin me dy adoleshentë, vdes 15 vjeçari
Një aksident i rëndë është regjistruar pasditen e sotme(20 qershor) në aksin rrugor Belsh-Kuçovë, ku për pasojë ka humbur jetë një 15 vjeçar, i identifikuar si O.M, i cili po udhëtonte me motor.
Si pasojë e aksidentit është plagosur rëndë edhe bashkëmoshatari i tij, që ishte pasagjer në motor. Motori është përplasur nga makina e cila drejtohej nga shtetasi T. N., 34 vjeç.
“Më datë 20.06.2022, rreth orës 14:30, në aksin rrugor “Belsh – Kuçovë”, në fshatin Marinës, shtetasi T. N., 34 vjeç, duke drejtuar një automjet, është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin O. M., 15 vjeç dhe pasagjer në motomjet shtetasin K. P., 15 vjeç, të dy banues në Belsh.
Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë drejtuesi i motomjetit, shtetasi O. M, ndërsa pasagjeri në motomjet, shtetasi K. P ., ndodhet në Spitalin Kirurgjik të Elbasanit, nën kujdesin e mjekëve. “- njofton policia.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e shkaqeve të aksidentit.
