Motra e Dumanit dorëhiqet nga Ministria e Jashtme: Ndihem e kërcënuar, s'kam lidhje më profilin e vëllait
Xhuliana Dumani, motra e Nuredin Dumanit ka dhënë dorheqjen nga pozicioni i saj në Ministrinë e Jashtme. Sipas letrës së dorëheqjes dërguar institucionit, motra e të arrestuarit për dhjetëra vrasje thotë se nuk ka lidhje më aktivitetin e të vëllait dhe se familja e saj prej 48 orësh ndihet e kërcqënuar nga publikimet në media.
Xhuljana Dumani, motra e vrasësit me pagesë Nuredin Dumani ka dhënë dorhëqjen nga pozicioni i saj në Ministrinë e Punëve të Jashtme tri ditë pas publikimit të këtij fakti.
Përmes një letre të dërguar institucionit e cila është siguruar nga Ora News, Xhuliana Dumani shprehet qëllimi i saj ka qenë ndërtimi i jetës larg profilit të të vëllait, ndërsa shton se është ndjerë e baltosur duke rrezikuar edhe jetën.
Të dielën, Ministria e Jashtme reagoi ndaj lajmit të publikuar në media për punësimin e Xhuljana Dumanit.
Në deklaratën e këtij institucioni theksohej se Xhuliana Dumani është përzgjedhur nga Komisioni që merret me selektimin e studentëve bazuar në rezultatet dhe fillimisht ka kryer praktikën 3-mujore në gusht 2021.
Në përfundim të praktikës, për shkak të vlerësimit të performancës së saj nga Drejtoria, është lidhur kontrata e punës me afat të paracaktuar 1 vjeçar deri ne 31.12.2022, si specialiste në Drejtorinë e Shërbimeve të Brendshme, Sektori i Shërbimeve.
Letra e plotë e dorëheqjes
Prej së shtunës, 18 qershor 2022 jam bërë objekt i keqinformimi të opinionit publik nga disa media, mbi rrezikun që unë si individ paraqes për sigurinë kombëtare dhe institucionin që punoj prej pak muajsh si staf teknik.
Si rezultat i këtyre publikimeve të pavërteta, prej 48 orësh jam në rrezik për jetën dhe e ekspozuar publikisht, jo vetëm unë por edhe kolegë me të cilët punoj prej pak kohësh, e për të cilët do të ruaj vlerësimin tim maksimal.
E vërteta ime e vetme është përpjekja për të ndërtuar një jetë normale, larg profilit të vëllait tim, me dëshirën e një vajze 24 vjeçare, arsimuar me rezultate shumë të mira.
Për shkakun tim prej 48 orësh po akuzohet padrejtësisht edhe institucioni ku unë prej pak kohësh kam dhënë kontributin tim, në një detyrë tërësisht teknike, pa asnjë lidhje për sa pretendohet në media, për akses në dokumentacion të klasifikuar.
Jam baltosur në mënyrë të padrejtë e po vijoj të baltosem e të rrezikohem çdo orë e më shumë për shkak të publikimit të të dhënave të mia personale, fotografive, vendit të punës etj, duke ekspozuar seriozisht edhe persona të tjerë, faji i vetëm i të cilëve është ndarja e orëve të punës me mua.
Duke i kërkuar ndjesë institucionit që për shkakun tim është sulmuar për ushtrim detyrash që nuk i kam kryer asnjëherë, më lejoni të jap dorëheqjen e parevokueshme dhe të menjëhershme nga detyra.
Me respekt,
Xhuljana Dumani

