Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve mbështet hartën e re gjyqësore

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Republikës së Shqipërisë mbështet hartën e re gjyqësore.

Reforma në sistemin e drejtësisë, si një ndër qëllimet e saj kryesore ka ndërtimin e një pushteti gjyqësor efiçent, në pikëpamje kohore, cilësore dhe ekonomike gjë që sipas shoqatës për tu realizuar nevoitet projektimi i një strukture gjyqësore që ta maksimizojë këtë qëllim si dhe një shpërndarje e studiuar e burimeve njerëzore në këtë aspekt.

Shoqata shprehet se harta e re do t’i përgjigjet më së miri nevojave të qytetarëve për dhënien e një drejtësie cilësore dhe në kohë të barabartë  për të gjithë.

"Specializimi i gjyqtarëve dhe ecja me shpejtësi të njëjtë e çështjeve të ngjashme, në të gjithë gjykatat e Republikës, përbën një synim dhe sfidë që do të përmbushet pa më të voglin dyshim nga riorganizimi gjyqësor i parashikuar në këtë dokument", thuhet në deklaratën e shoqatës.