Presidenti i Sllovenisë: Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut t’i jepet drita jeshile

Presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor, i ka kërkuar Bashkimit Evropian që në samitin e 23 qershorit të miratojë zgjerimin me dy vendet e Ballkanit si dhe ta heqë regjimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Presidenti slloven kërkesën e ka bërë përmes një letre dërguar Presidentit të Këshillit Evropian, Charles Michel, ndërsa dorëzimin e saj e konfirmoi të enjten në fjalimin e tij në Forumin e Prespës.

Pahor tha se i kërkoi BE-së që të marrë vendime për përshpejtimin e integrimit të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në letrën e tij, Pahor shpreh besimin se nevojiten hapa konkretë për të përshpejtuar zgjerimin e Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.

"Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut t’i jepet drita jeshile për fillimin e negociatave në qershor dhe Kosova të marrë liberalizim vizash," propozoi ai.

Kreu i shtetit slloven thekson se të dyja këto vendime kërkojnë vetëm vullnetin politik të shteteve anëtare, si të tre shtetet plotësojnë të gjitha kushtet për të thënë.

Gjithashtu, Paho thotë se duhet të ndiqet një proces më i shpejtë negociues me Malin e Zi dhe Serbinë.

Mediat në Sarajevë raportojnë se presidenti Pahor ka shprehur shqetësim të veçantë për situatën në Bosnje e Hercegovinë.

Lidhur me këtë ai shprehet i bindur se është e domosdoshme që Bosnjes e Hercegovinës t’i jepet statusi i kandidatit pa kushte.

Natyrisht, thotë ai ndër të tjera, Bosnje Hercegovina duhet të plotësojë kushtet, por rendi duhet të jetë i ndryshëm, kështu që së pari statusin e kandidatit dhe më pas plotësimin e kushteve.

Sipas tij, kjo do t’i forconte forcat pro-evropiane në Bosnjë e Hercegovinë dhe dinamikat e përshtatjes së brendshme me normat evropiane.