OEAK thirrje Kosovës: Rishikoni mundësinë për tu bërë pjesë e "Ballkanit të Hapur"

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të rishikojë në mënyrë serioze pjesëmarrjen në iniciativën rajonale, "Ballkani i Hapur”.

“Bashkëpunimi ekonomik nuk ka alternativë në këto kohëra të pasigurta për ekonomitë rajonale dhe globale”, thuhet në një komunikatë për media të OEAK.," thuhet ne deklarate.

KETU LAJMET MINUTE PAS MINUTE

Sipas Odës Amerikane vetëm përmes integrimit ekonomik, vendet do të mund të tejkalojnë vështirësitë e ardhshme, siç janë sfidat në zinxhirët e furnizimit, siguria e ushqimit, mungesat e energjisë dhe mungesat e fuqisë punëtore.

“Çfarëdo iniciative e bashkëpunimit rajonal, duhet të mundësojë përfaqësim të barabartë të të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe se është përgjegjësi e tri shteteve nismëtare të Ballkanit të Hapur, që të adresojnë pakënaqësitë e Kosovës dhe ato të vendeve të tjera skeptike”, tha OEAK.

Asnjë iniciativë për treg të përbashkët rajonal, sipas Odës Amerikane nuk mund të ketë sukses në rrethana kur jo të gjitha shtetet e rajonit trajtohen në mënyrë të barabartë dhe me respekt.

Me gjithë thirrjet e iniciuesve, tri vende të Ballkanit Perëndimor, Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje e Hercegovina, vazhdojnë të kundërshtojnë të bëhen pjesë e nismës.

Zyrtarët në Kosovë, në pushtet dhe opozitë, kanë argumentuar se një nismë e tillë është pa vizion dhe e rrezikshme.

Në kuadër të nismës "Ballkani i Hapur”, Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.