Kurti iu bindet veteranëve të UÇK-së, anulon forumin e Prespës që të takohet me përfaqësuesit e tyre

Pas protestave të fuqishme të veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër projektligjit për pagën minimale, ka ardhur tërheqja e kryeministrit Albin Kurti, i cili ka vendosur të mos marrë pjesë të premten në Forumin e Prespës për Dialog në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për t’u takuar me përfaqësuesit e veteranëve të UÇK-së Kosovës.

Qindra pjesëtarë të Organizatës së Veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës u mblodhën mëngjesin e së enjtes në afërsi të godinës së Parlamentit për të kundërshtuar projektligjin për pagën minimale.

Pak minuta më vonë, protestuesit hynë në oborrin e Kuvendit, ku nuk munguan dhe shtyrjet me forcat e Policisë së Kosovës, duke detyruar që në hyrje të këtij institucioni të pozicionoheshin njësitet speciale.

Në shenjë pakënaqësie për pagën e tyre, veteranët kanë tentuar që të hyjnë brenda objektit të Kuvendit.

Sakaq përplasje janë shënuar dhe brenda Kuvendit të Kosovës teksa po zhvillohej seanca parlamentare.

Në momentin kur mori fjalën deputetja e VV-së, Arbëresha Kryqëziu, është penguar fjalimi i saj nga kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Madje ai ka shkulur mikrofonin e foltores.

Kërkesa e opozitës ishte që të mos mbahet seanca e kuvendit derisa po protestohet në oborrin e Kuvendit të Kosovës nga veteranët e luftës së UÇK-së.

Në përgjigje të situatës së krijuar në Kuvend dhe jashtë tij, kryeministri Kurtiu deklaroi se është i gatshëm të anulojë agjendën e takimeve në Maqedoninë e Veriut në kuadër të Forumit të Prespës për Dialog, për tu takuar me një përfaqësi të veteranëve të Uck-së

Nga foltorja e Kuvendit, Kurti theksoi se Qeveria e Kosovës ndan rreth 120 milionë euro për kategoritë e dala nga lufta, dhe se kjo shifër është më e madhe sesa ajo që ndahet për sigurinë e vendit.

Projektligji nuk e parasheh lidhjen e pagës minimale me pensionin e veteranëve, siç ka qenë në të kaluarën.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faton Klinaku, ka insistuar në ndërprerje të seancës dhe pavarësisht propozimit zyrtar për takim të premten në orën 09:00, Klinaku ka thënë se protestuesit do të qëndrojnë para Kuvendit.