Pacienti i dyshuar në Kosovë si i infektuar me linë e majmunit rezulton negativ
Mostra e pacientit nga Kosova të dyshuar se është i prekur nga lia e majmunëve, e dërguar për testim në Laboratorët e Holandës ka rezultuar negative.
Lajmin e ka bërë me dije Ministria e Shëndetësisë në Kosovë.
Pacienti 69 vjeçar nga komuna e Dragashit ishte regjistruar më 3 qershor 2022, pasi u hospitalizua në klinikën Infektive-QKUK dhe dyshohej se mund të ishte prekur nga lija e majmunëve.
Atij i ishte marrë mostra nga ndryshimi lëkuror për t’u dërguar për analiza laboratorike në Holandë, por që ka rezultuar negative.
“Siç dihet nga njoftimet paraprake të MSh-së, me datë 3 qershor 2022 në ora 17:41, IKShPK ka pranuar nga Klinika Infektive-QKUK një raportim për një rast të dyshimtë me Linë e majmunëve (Monkeypox), për një pacient mashkull (1953) nga komuna e Dragashit, i hospitalizuar në këtë klinikë, dhe të cilit i ishte marrë mostra nga ndryshimi lëkuror për t’u dërguar për analiza laboratorike në Holandë.
IKShPK është njoftuar sot nga laboratorët respektiv të këtij shteti, që kjo mostër ka rezultuar negative dhe rasti në fjalë nuk ka rezultuar të jetë i prekur nga Lia e majmunëve.”-njofton Ministria e Kosovës.
