Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu do të vizitojë vendet e Ballkanit, por jo Shqipërinë
Ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlut Cavusoglu do të zhvillojë vizita zyrtare në Serbi, Kroaci, Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kosovë në datat 15-19 qershor.
Sipas Ministrisë së Jashtme turke, gjatë vizitave do të trajtohen çështjet dypalëshe, zhvillimet aktuale rajonale dhe ndërkombëtare me fokus Bosnje-Hercegovinën.
Mevlut Çavusoglu do të zhvillojë takime dypalëshe me homologët e tij, krerë shtetesh dhe qeverish, si dhe kryetarë parlamentesh, dhe do të takohet me përfaqësuesit e komuniteteve turke në ato vende.
Cavusoglu do të marrë pjesë edhe në Forumin e Dytë të Dialogut të Prespës që do të mbahet në Maqedoninë e Veriut në Ohër këtë të enjte dhe do të mbajë fjalim në Sesionin Zyrtar të Hapjes së Nivelit të Lartë.
Ministri turk do të ketë takime dypalëshe dhe do të takohet edhe me përfaqësuesit e komuniteteve turke në Maqedoninë e Veriut.
Por në këto takimet duket se Shqipëria nuk është në agjendën e ministrit të Jashtëm turk.
Edhe pse arsyet e shmangies së vendit tonë në këtë tur nuk dihen, vlen të theksohet se kryeministri Edi Rama nuk ndodhet në Tiranë, pasi ai prej së mërkurës po zhvillon një vizitë në Ukrainë ku ka inspektuar nga afër pasojat e sulmit të Rusisë.
