Veteranët e UÇK protestë në Prishtinë, tentojnë të hyjnë në kuvend
Qindra pjesëtarë të Organizatës së Veteranëve të luftës së ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po protestojnë përballë institucioneve shtetërore për të kundërshtuar projektligjin për pagën minimale, që u miratua të martën në parlamentin e Kosovës.
Në shenjë pakënaqësie për pagën veteranët kanë tentuar që të hyjnë brenda objektit të Kuvendit.
Sakaq përplasje janë shënuar dhe brenda Kuvendit të Kosovës teksa po zhvillohej seanca parlamentare.
Në momentin kur mori fjalën deputetja e VV-së, Arbëresha Kryqëziu është penguar fjalimi i saj nga kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri. Madje ai ka shkulur mikrofonin e foltores.
Kërkesa e opozitës ishte që të mos mbahet seanca e kuvendit derisa po protestohet në oborrin e Kuvendit të Kosovës nga veteranët e luftës së UÇK-së.