“Pushtetet janë të ndara”, Rama: Erdhi dita që askush të mos ndihet i “Paprekshëm”. Drejtësia e pavarur nga politika
Kryeministri Edi Rama, në fjalën e tij në konferencën e parë kombëtare të anti-korrupsionit, tha se erdhi dita që në vendin tonë askush të mos ndihet i paprekshëm.
Rama theksoi se në Shqipëri pushtetet janë të ndara, duke theksuar se drejtësia punon e pavarur nga politika.
Më tej shtoi se vite më parë askujt nuk i shkonte në mendje se në hetim do të ishin zyrtarë të lartë të partisë në pushtet.
Edi Rama: Sistem ishte i kapur tërësisht nga kanceri i një drejtësie thellësisht të korruptuar, gjerësisht të kalbur dhe të transformuar në një pazar, ku e drejta shitej ose blihej. Pavarësisht se brenda sistemit kishte, kudo njerëz të zotë dhe njerëz të ndershëm, tërësia e sistemit e bënte të pamundur, qoftë për njerëzit e ndershëm që të promovoheshimn. Kështu ne u fokusuam në dy drejtime: Reformimi i sistemit të drejtësisë, dhe reformimi i sistemit të shërbimeve. Kush e mendonte deri pak vite më parë se në këtë vend do të ndëshkoheshin figura politike të rangut më të lartë. Kush e besonte se do të vinte dita që askush të mos ndihej i paprekshëm.
Kush e mendonte se figura politike do merreshin nën hetim nga një prokurori e ndarë nga politika, dhe tërësisht e fokusuar te misioni i saj për drejtësinë. Nuk janë deputetët të opozitës por janë të një partie në pushtet. Flasim për një sistem që pushtetet janë të ndara dhe ndarja e pushteve, mishërohet në veprimtarinë e pavarur të organeve të drejtësisë. Ky është një moment historik përtej mangësive apo dobësive që ka një proces që nuk ka ndodhur kurrë më parë.
