Komisioneri i BE Lemercis: Si për tërmetin mekanizmi i BE ju ndihmoi dhe për Sazanin

Komisioneri i BE Janes Lemercis gjatë Konferencës Kombëtare të Antikorrupsionit tha se në rastet e urgjencave dhe emergjencave Shqipëria ka pasur mundësi të mbështetet tek solidariteti europian.

Janes Lemercis: Është kënaqësi që jam këtu në Shqipëri. Misioni im i parë zyrtar dhe sapo mora detyrën si komisioner ka qenë pikërisht këtu në Shqipëri. Sot kam ardhur në rrethana më të mira. Nuk kemi të bëjmë sot me ndonjë urgjencë apo emergjencë. Një gjë kanë të përbashkët zjarri në Sazan dhe tërmeti i 2019-ës. Në të dyja rastet me kërkesë nga pala shqiptare mekanizmi i BE për mbrojtjen civile u aktivizua menjëherë, u organizua dhe ndihmesa u dha.

"Për shembull aeroplani që erdhi nga Greqia erdhi pikërisht për të shuar zjarret në Sazan.  Ajo që mund të mësojmë nga këto dy fatkeqësi por dhe të tjera, gjëja e rëndësishme është që në të gjitha këto raste Shqipëria ka pasur mundësi të mbështetet tek solidariteti europian", tha ai.

Sipas Lemercis Shqipëria ka pasur mundësi të mbështetet tek solidariteti i shteteve anëtare të BE si dhe i shteteve të tjera pjesëmarrëse të këtij mekanizmi të BE për mbrojtjen civile.