Tajvani ‘mollë sherri’. SHBA akuzon Kinën për agresion në Paqësor
Gjatë samitit të sigurisë së Dialogut ‘Shangri-La’ në Singapor, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Loid Ostin akuzoi Kinën për agresion të shtuar në Oqeanin Indian dhe Paqësor.
“Ruajtja e paqes dhe stabilitetit përgjatë ngushticës së Tajvanit nuk është vetëm një interes i Shteteve të Bashkuara. Është një çështje shqetësimi ndërkombëtar. Më lejoni të jem i qartë. Ne nuk kërkojmë konflikt, nuk kërkojmë një Luftë të re të Ftohtë, një NATO aziatike, apo një rajon të ndarë në blloqe armiqësore. Ne do të mbrojmë interesat tona pa u trembur,” tha ai.
Sekretari Ostin shtoi më tej se SHBA kundërshton çdo ndryshim të njëanshëm të statusquo-së nga secila palë, duke theksuar se politika amerikane nuk ka ndryshuar.
"Ne do të vazhdojmë të qëndrojmë pranë miqve tanë ndërsa ata mbrojnë të drejtat e tyre. Dhe kjo është veçanërisht e rëndësishme pasi Kina miraton një qasje më shtrënguese dhe agresive ndaj pretendimeve të saj territoriale," tha ai.
Kohët e fundit tensionet mes Tajvanin dhe Kinës janë përshkallëzuar për shkak të rritjes së fluturimeve të avionëve kinezë në zonën e identifikimit të mbrojtjes ajrore të ishullit.