Komisioni hetimor për 6 janarin: Donald Trump tentoi të kryente grusht shteti

Donald Trump e ka quajtur një gjueti shtrigash komisionin hetimor të ngritur nga Dhoma e Përfaqësuesve për të hetuar mësymjen e mbështetësve të republikanit në 6 janar 2021 në Kongresin Amerikan.

Të enjten deri në orët e para të së premtes u mbajt seanca e parë e komisionit hetimor i cili do të përpiqet të hedhë dritë mbi rolin e presidentit të atëhershëm Trump për dhunën e përdorur nga protestuesit në selinë e Kapitolit.

Në seancën e parë, paneli pretendoi se Donald Trump tentoi të kryente grusht shteti dhe se ishte nxitësi kryesor i dhunës në Kapitol Hill.

Seanca ishte transparente edhe për publikun dhe një grup kryesisht mbështetësish të Partisë Demokratike po e ndiqnin seancën në oborrin jashtë Kongresit.

Nënkryetarja Republikane e panelit, një kritike e Donald Trump, bëri fajtor drejtpërdrejt 76-vjeçarin për protestat e dhunshme në Kapitol.

Konkluzionet e komisionit hetimor dolën pas dëshmive të dhëna pas dyerve të mbyllura nga disa prej këshilltarëve të ish-presidentit Trump, duke përfshirë ish-prokurorin e Përgjithshëm Bill Barr.

Ndërsa priten edhe pesë seanca të tjera në radhë, zëdhënësi i Donald Trump, Taylor Budowich e quajti seancën e parë të komisionit hetimor një cirk të paaftësh që tentojnë të tërheqin vëmendjen e publikut.