Policia e Shtetit “ngrihet në këmbë” për sigurinë e ndeshjes Shqipëri-Izrael
Plot 1300 punonjës policie do të angazhohen për të garantuar sigurinë e ndeshjes Shqipëri-Izrael, e planifikuar për t’u zhvilluar të premten në orën 20:45. Policia e Shtetit ka bërë të ditur planin e masave që këtë herë, ndryshe nga shumë ndeshje të tjera të kombëtares, do të jetë edhe me masiv për shkak të kundërshtarit pasi në të tilla sfida, Kombëtarja e Izraelit kërkon një angazhim më të madh.
Sipas policisë, izraelitët do të shoqërohen gjatë gjithë kohës ndërsa në hyrjen e stadiumit do të ketë kontrolle të rrepta për mjete të forta apo lëndë piroteknike. Kufizimet e qarkullimit do të nisin që prej orës 16:00 në rrugët përreth stadiumit “Air Albania” dhe masat do të jenë në fuqi deri në përfundim të ndeshjes.
“Më këtë rast dëshirojmë t’u rikujtojmë të gjithë qytetarëve se, në bazë të Kodit Penal të vendit tonë, hedhja e sendeve të forta në fushën e lojës ose mbi masën e njerëzve, mbajtja apo përdorimi i lëndëve piroteknike, fishekzjarreve, flakadanëve, gjatë zhvillimit të një aktiviteti sportiv, dënohen me burgim nga gjashtë muaj deri në tre vjet.
Gjithashtu, në bazë të Kodit Penal, veprimet e dhunshme në aktivitetet sportive, si: hyrja në fushën e lojës, gjatë kohës së zhvillimit të aktivitetit sportiv, nga persona të paautorizuar, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë nga 50 000 deri në 100 000 lekë. Kur nga kjo vepër ka ardhur pengimi i zhvillimit normal të aktivitetit sportiv, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre muaj.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e të gjithë qytetarëve, për zbatimin e rregullave të hyrjes dhe të qëndrimit në stadium, si dhe respektimin e masave kufizuese për qarkullimin, në mënyrë që të sigurojmë mbarëvajtjen e këtij aktiviteti”.
