Ripeshkimi në Botërorin 2022, "grimcë" shprese për Italinë dhe Kilin

Ekuadori rrezikon seriozisht përjashtimin nga Kupa e Botës dhe në këtë rast është Kili që mund të “fërkojë duart”. Pasi denoncoi aktivizimin e një lojtari që dyshohet se nuk ka pasur pasaportë ekuadoriane, çështja merr përmasa më të mëdha.

Bëhet fjalë për Byron Castillo, i cili u aktivizua rregullisht në ndeshjet eleminatore të Amerikës së Jugut. Kili që mbeti jashtë botërorit, prezantoi një ankesë zyrtare me pretendimin se lojtari nuk është ekuadorian dhe se ai ka lindur tre vite më parë nga ajo që evidenojnë dokumentat.  

Një çështje që FIFA po e studion me detaje pasi zhurma që po bën është gjithmonë e më e madhe ndërsa Italia qëndron në hije dhe vazhdon të shpresojë në një masë ekstreme nga organi kryesor i futbollit botëror.  

Gjatë ditëve të fundit, Kili ka depozituar në FIFA edhe një dokument që nuk është bërë publik, çertifikatën e pagëzimit të lojtarit. Sipas gazetës “AS”, Kili pretendon që lojtari ka lindur në Kolumbi ku u martuan prindërit e tij dhe u pagëzua edhe vetë Byron.   

Gjithsesi, koha po punon kundër Kilit në këtë çështje pasi shorti tashmë është hedhur ndërsa Peruja që u rendit e pesta në eleminatore do të sfidojë Australinë në datën 13. Këtë e di edhe Italia që shpresonte në një ripeshkim me justifikimin se bëhet fjalë për kampionen e Europës.