Liverpool refuzon ofertën “qesharake” të Bayern Munich për Sadio Mane

Dështon tentativa e parë e Bayern Munich për të transferuar në “Allianz Arena” yllin senegalez të Liverpool-it, Sadio Mane. Klubi gjerman ofroi 30 mln. Pound për 30-vjeçarin që ka shprehur vullnetin për të ndryshuar ambjent.

Sipas BBC, “The Reds” do të rezistojnë derisa të arkëtojnë 50 milionë që është edhe vlera e kartonit të Mane sipas Liverpool ndërsa Bayern duhet të zgjidhë njëkohësisht edhe të ardhmen e Robert Lewandowski-t, nga shitja e të cilit te Barcelona synon të arkëtojë një shumë të konsiderueshme edhe pse katalanasit nuk kanë buxhet të bollshëm në dispozicion.

120 gola ka shënuar senegalezi në 6 sezone me fanellën e Liverpool. Ai u transferua në “Anfield” gjatë vitit 2016 për 36 mln.Pound duke e ndihmuar klubin e kuq të fitonte Champions-in e gjashtë dhe titullin e parë pas rreth 3 dekadave shterpësi.

Kontrata aktuale e Mane me Liverpool-in skadon në fund të sezonit të ardhshëm. Lojtar i lirë në fund të sezonit të ardhshëm do të jetë edhe Mohamed Salah, i cili nuk ka marrë ende asnjë vendim përfundimtar për të ardhmen.