Inter bind Dybala-n, argjentinasi do të fitojë rreth 20 milionë euro në Milano

Është vetëm çështje detajesh por transferimi i Paulo Dybala-s te Interi mund të konsiderohet i mbyllur.

Palët janë afruar shumë në qëndrime gjatë orëve të fundit dhe gjatë pasdites Beppe Marotta dhe përfaqësuesi i lojtarit argjentinas kanë arritur marrëveshjen 3-vjeçare me opsion për një tjetër.

Sulmuesi do të përfitojë 6 milionë euro neto në sezon plus bonuset e diskutueshme në bazë të arritjeve personale dhe ekipore.

Tashmë Dybala do të thotë fjalën e fundit por mediat italiane bëjnë me dije se nga selia e Interit filtron optimizëm dhe sulmuesi do të hedhë firmën gjatë kësaj jave për të mbyllur përfundimisht epokën bardhezi dhe për të nisur aventurën zikaltër.