Kombëtarja rigjen Brojën por jo në formën optimale, Uzuni nuk arrin të “buzëqeshë”

Është Armando Broja lajmi më pozitiv në kampin e Kombëtares që pas rikthimit në Durrës, ka nisur menjëherë punën për të përgatitur ndeshjen me Izraelin.

Stërvitja është zhvilluar në orën 19:00 në kompleksin stërvitor të qytetit bregdetar ndërsa risia absolute është bashkimi i Armando Brojës me grupin pasi sulmuesi u negativizua pas infektimit me Covid-19. Komunikata e plotë e FSHF-së;

“Stafi teknik do të vëzhgojë në vazhdimësi gjendjen e lojtarit me shpresën që ai të jetë në kushtet e duhura fizike për të luajtur në sfidën ndaj Izraelit.

Gjithashtu, me ekipin sot është stërvitur edhe sulmuesi Myrto Uzuni, pasi mungoi në ndeshjen e parë zyrtare për shkak dëmtimi dhe është stërvitur në mënyrë individuale.

Stafi mjekësor është duke monitoruar në vazhdimësi rikuperimin e lojtarit dhe shpresohet që ai mund të rikuperohet në kohë për ndeshjen e dytë të qershorit. Edhe sot Uzuni u stërvit i diferencuar nga grupi. Shqetësime ka pasur edhe mesfushori Odise Roshi i cili po kalon një gjendje gripale dhe nuk është stërvitur.

Skuadra do të vijojë nesër me përgatitjet po në Durrës, ndërkohë që të enjten do të zhvillohet edhe stërvitja zyrtare para ndeshjes me Izraelin, e dyta në Ligën e Kombeve për kuqezinjtë”.