Shqipëri-Izrael/Broja dhe Uzuni nuk njohin rezultat tjetër veç fitores
Stafi i Kombëtares Shqiptare, për konferencën e së mërkurës, zgjodhi të propozonte përpara mediave dy lojtarë që i munguan shumë skuadrës kuqezi në transfertën e Islandës.
Armando Broja dhe Myrto Uzuni, të cilët nuk udhëtuan me ekipin e Rejës për probleme të ndryshme, tashmë janë pjesë e skuadrës edhe pse beretasi mbetet ende në dyshim për shkak të një dëmtimi.
Në prag të duelit me Izraelin, ata vendosën theksin te rëndësia e këtij dueli që mund të konsiderohet vendimtar për të ardhmen e Shqipërisë.
Armando Broja:
“Fizikisht jam mirë dhe jam gati për ndeshjen. U infektova me Covid dhe tani jam rikuperuar plotësisht pasi kam bërë edhe stërvitje personale në Angli. Nuk mund të them se çfarë ndeshje do të luajmë dhe a do të luaj unë sepse vendimet i merr trajneri. Nga ajo çfarë pashë mund të them se luajtëm mirë por ndaj Izraelit do të jetë më e vështirë por shpresoj të marrim tre pikë. Kam folur me trajnerin dhe ai më pyeti për gjendjen. Në fund të fundit është trajneri që vendos për formacionin. Nëse më aktivizon unë do të jap maksimumin”.
Myrto Uzuni:
“Kam pasur një shqetësim në kavilje por tani ndihem shumë mirë dhe jam gati për të ndhmuar skuadrën. Të gjithë kërkojmë që të fitojë Kombëtarja. Në Islandë edhe barazimi është rezultat i mirë.

Luajmë në shtëpi dhe ndaj një ekipi që është më lart se Islanda. Të bashkuar mund të shkojmë drejt objektivit tonë pasi kemi në përbërje lojtarë shumë të mire. Do të hyjmë në fushë vetëm për një rezultat, fitoren”.
