Ka nazistë edhe në radhët e anglezëve, përshëndesin me dorën lart, 8 arrestime në Bavari pas ndeshjes

Jo vetëm hungarezët. Problemin e huliganëve të ekstremit të djathtë e kanë edhe në Angli dhe më qartë se kurdo herë tjetër kjo u vu re në transfertën e Mynihut ku kombëtarja e Southgate u përball me Gjermaninë.

Pas ndeshjes së zhvilluar në “Allianz”, disa ultras të skuadrës ishullore u arrestuan nga policia lokale pasi bënë gjeste që identifikojnë sjelljet e karakterit nazist.

Policia prangoi 8 persona ndërsa 4 të tjerë janë gjithashtu në burg pas trazirave të shkaktuara dhe rezistencës që bënë ndaj forcave të rendit. Momente frike në kryeqëndrën e Bavarisë ku shumë lokale dhe pub-e u mbyllën nga frika e dhunës.