Nuk ka më vend për Djarmatin, Vllaznia njofton fundin e bashkëpunimit me drejtorin sportiv
Vllaznia ndërpret bashkëpunimin me drejtorin sportiv, Matko Djarmati. Njeriu që ndërtoi skuadrën e dy sezoneve të fundit dhe klubi shkodran I kanë dhënë fund rrugëtimit të përbashkët pasi kontrata e ish-futbollstit kroat përfundoi.
Presidenti Alban Xhaferri vendosi që të ndryshojë politikë në sektorin e drejtimit sportiv që është edhe posti më kyç i klubit. Edhe pse lajmi ishte në ajër prej disa ditësh, konfirmimi vjen nga klubi shkodran nëpërmjet një komunikate zyrtare të publikuar në rrjetet sociale.
“KF Vllaznia bën të ditur se kontrata me drejtorin sportiv z. Matko Djarmati ka përfunduar. Në këto rrethana, duke e falenderuar për punën e mirë që ka bërë në këto dy vite që ka qenë pjesë e klubit tonë, i urojmë suksese në karrierën e tij të mëtejshme”.
Djarmati u emërua në postin e drejtorit sportiv të Vllaznisë në gusht të vitit 2020 duke ringritur një skuadër që luftonte për mbijetesën. Gjatë dy sezoneve në këtë post, ai bashkë me skuadrën fituan dy kupa dhe Vllaznia u kualifikua për dy sezone rresht në kompeticionet europiane.
