Rama nuk pret çeljen e negociatave në qershor, thirrje Maqedonisë së Veriut: Mos e merrni me stres. Nuk do t'ju marrin në BE
Kryeministri Edi Rama duket që nuk është optimist për çeljen e negociatave në qershor. Në fjalimin e tij në samitin e "Ballkanit të Hapur" Rama tha se Ballkani nuk vdes se është pjesë e Europës edhe pse 'dasma" në Bruksel duket se do të shtyhet sërish.
Edi Rama: "Dy fjalë për BE dhe dasmën e rradhës. Them dasmë sepse sa herë afrohet BE ne përgatitemi si në dasmë. Unë e kam thënë dhe më parë, Shqipëria nuk përgatitet më për atë dasmë. Nëse do të ndodhë dasma, do të shkojmë me rrobat e rastit.
Nuk do të vishemi, nuk do të zbukurohemi, nuk do të porositim orkestrën më të mirë. Nuk do të shpenzojmë për të bërë banketin më të madh në pritje që të vijnë krushqit, kur të ngel nusja në derë se svjen dhëndri që ta marrë. Ose të të ngeli dhëndri në derë, se nusja thotë "Kam ca punë të tjera". Kjo është dhe më keq.
Dhe ja ku po e them, Ballkani i Hapur është burri, ndërsa Europa e bashkuar është nusja. Duke qenë burrë kjo është më keq për ne, se po të ishim nusja do të na merrnin më shpejt. Duke qenë burri, një burrë me gjithë këto probleme me gjithë këto, "Ke qenë atje, ke vrarë këtë, ke hedhur në erë këtë", është problem shumë i madh.
Por ne e kemi shumë të qartë rrugën tonë. Ne do ta ndërtojmë Europën këtu. Do të ndërtojmë këtu institucionet tona të shtetit, ekonomisë. Pastaj kur ata do të duan ta bëjnë dasmën, ne jemi gati.
Prandaj u them miqve të Maqedonisë së Veriut mos e merrni me kaq stres këtë punën e dasmës sepse na fusin dhe neve këtë stresin. Sa herë vijmë këtu ju shohim të mërzitur se prap nuk do t'ju marrë njeri. Nuk do t'ju marrin!
Ka dalë Bullgaria që është burrë përvete, se të ishte një femër e bukur si shumë të tjera si shumë vende të tjera në Europë hajde de, por dhe ajo një burrë me probleme është. Kështu që na ka dalë Bullgaria përpara, ne shqiptarët jemi në rregull. Kur të duan ta bëjnë dasmën këtu na kanë, gati jemi. Nëse nuk do të duan prap këtu jemi."