Propozimi i Bajram Begaj për President, reagon Berisha: Shkelje e rëndë, thirrje Presidentit aktual të mbrojë kushtetutën
Emri I kreut aktual të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare Bajram Begaj për postin e Presidentit të Republikës ka ndezur debatin politik në vend. Partia Demokratike e ndarë në dy qëndrime ku deputeti Enkelejd Alibeaj pasi mori pjesë në bisedimet për emrin e Presidentit ka vendosur të bojkotojë seancën e së shtunës për votimin e tij.
Nga ana tjetër Saili berisha ka konfirmuar pjesëmarrjen me votën kundër për kandidaturën e Presidentit, duke e cilësuar një ditë më parë si kukull të Ramës.
Por emri i Bajram Begaj i dalë mbrëmjen e së premtes ka sjellë reagimin e ashpër të liderit demokrat Sali Berisha ku në një status në faqen e tij në Facebook e ka cilësuar zgjedhjen e tij si akt antikushtetues dhe precedent tepër të rrezikshëm për vendin dhe demokracinë.
Sipas Berishës zgjedhja e një ushtaraku aktiv në poste publike është shkelje flagrante e ligjit dhe kushtetututës së Shqipërisë, duke iu referuar pikërisht nenit 167 të saj ku thuhet se:
“Ushtarakët e shërbimit aktiv nuk mund të zgjidhen ose të emërohen në detyra të tjera shtetërore dhe as të marrin pjesë në parti ose në veprimtari politike.”
Më tej Berisha shkruan se dënon këtë akt si dëshmi flagrante e kapjes së shtetit dhe Kushtetutës nga një organizatë kriminale me në krye Edi Ramën, që nuk ka interesa të tjera përveç vjedhjes dhe plaçkitjes së qytetarëve.
Kryetari i PD e mbyll postimin e tij me një thirrje drejtuar Presidentit aktual Ilir Meta për të mos lejuar atë çka ai e quan dhunim flagrant e tejet të rrezikshëm të kushtetutës së vendit.
Nga ana tjetër Bajram Begaj ka depozituar dorëheqjen e tij si Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë pranë institucionit të Presidentit, por vizita zyrtare e këtij të fundit në Turqi mund të çojë në dështimin e raundit të parafundit për votimin e Presidentit.

