Kandidati për President Bajram Begaj letër publike: Nëse votohem puna ime do të flasë për mua

Një ditë pas propozimit nga mazhoranca për detyrën e presidentit të republikës, gjenerali Bajram Begaj iu adresua publikut me një mesazh të shkruar ku shpjegon se cila do të jetë busulla e tij gjatë detyrës së kreut të shtetit.

"Repekti për tjetrin dhe dashuria për atdheun do të jenë shigjetat e busullës time në atë detyrë të lartë. Respekt pa kushte për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine dhe ideje. Respekt i barabartë për të gjitha palët përfaqësuese të popullit shqiptar. Respekt për miqtë dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë, Shqipërinë mbi gjithçka."

Begaj shpjegon në mesazhin e tij se propozimi që mori për tu bërë president i republikës ka qenë i papritur, ndërsa sqaron se pas njoftimit nga kryeministri për përzgjedhjen, ka dhënë dorëheqjen nga detyra në forcat e armatosura.

"Kam nënshkruar kërkesën për lirim nga detyra e lartë ku kam pasur deri më sot nderin e përgjegjësisë së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm. Ky është një ndër ato raste që fjalët nuk e përshkruajnë dot. Vetëm përkushtimi me besnikëri absolute ndaj republikës, qytetarëve dhe kushtëtutës së saj, mund ta tregojnë sadopak madhësinë e këtij nderi."

Begaj thekson se ndan respekt pa kushte për të gjithë shqiptarët pa dallim feje, krahine dhe ideje për miqtë dhe aleatët strategjikë të Shqipërisë, dhe për Shqipërinë mbi gjithçka.

Ai sqaron se ka refuzuar të flasë në media pasi është mësuar që puna të flasë për të dhe jo ai për veten, dhe se nuk e ndryshon dot këtë fakt, edhe po të dojë.

Dokumenta bashkëngjitur