Ngërç me presidentin? Kandidatura e Begajt në dorë të Metës, Balla: Nëse hap betejë, kemi menduar zgjidhjen

Frikë për Ngërç? Gjeneral Bajram Begaj ka dorëzuar te ministri i Mbrojtjes dhe të Kryeministri kërkesën për dorëheqjen nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë para se kandidatura e tij të shkojë në Kuvend.

Ligji për FA parashikon që ushtarakët duhet të japin dorëheqjen para se të emërohen apo zgjidhen. Kjo procedurë do të përfshihet brenda orëve dhe parashikon dhe dekretimin e lirimit nga detyra që duhet të firmoset nga Presidenti aktual Ilir Meta, por ky i fundit ndodhet në Stamboll.

Kryetari i grupit parlamentar socialist Taulant Balla tha në mbledhjen e grupit parlamentar se shpreson që Meta të mos e krijoje si beteje por gjithsesi i kanë marrë masat.

Taulant Balla: Është një aspekt i rëndësishëm por në legjislacionin përkatës ligji për forcat e armatosura parashikon që ushtarakët duhet të japin dorëheqje dhe duhet të lirohen përpara se të emërohen apo të zgjidhen dhe unë besoj që kjo procedurë do të përfshijë brenda minutave në vijim apo orëve në vijim edhe Presidentin e Republikës aktual dhe besoj që nuk do të jetë ndonjë betejë e radhës me presidentin aktual.

Megjithatë me kryetaren e Komisionit të çështjeve ligjore kemi menduar dhe zgjidhjen e nëse larg qoftë mund të na krijohet ndonjë ngërq me Presidentin e Republikës.

Kryeministri Edi Rama deklaroi se grupi i PS-se do të votojë unanimisht kandidaturën e Bajram Begajt në seancën e sotme në Kuvend në orën 18:00 ku dhe do të mbahet raundi i katërt i zgjedhjes së Presidentit.