Begaj takon Ramën, pranon kandidaturën për President: Do ta kryej me nder. Do të jem 24/ 7 në shërbim

Është zbardhur takimi mes Edi Ramës dhe kandidatin e propozuar për president, Gjeneral Bajram Begaj.  

Rama tha se do të jetë nder që PS ta votojë për kreun e shtetit, ndërsa Begaj teksa ka falenderuar Kryeministrin për propozimin tha se është nder i madh të jetë në një post të tillë si ai i presidentit. 

Biseda mes Ramës e Begajt:

Edi Rama: Ky sistem që kemi kështu është. Është e pamundur që të krijojmë një proces që njerëzit të mund të njihen përpara me mundësinë për t’u zgjedhur. Kështu që sot kemi pasur një diskutim në kryesi, dhe në fund kemi rënë dakord që ju jeni kandidatura e duhur për të normalizuar zyrën e institucionit të presidentit të Republikës. Ju falënderoj që ju nuk shfaqët refuzim por pranim, dhe do jetë nder për ne që të ju japim votën dhe të zgjidheni president i republikës.

Bajram Begaj: Faleminderit Kryeministër, është vlerësim shumë i madh të jesh president i një vendi. Do përpiqem që të jem personi i duhur për atë çfarë përfaqëson  ky post. Vij nga ushtria dhe mjekësia, dhe besoj se do të jem i lumtur që detyrën ta kryejë me nder. 

Edi Rama: Ne e kemi bindjen që ju do të jeni në lartësinë e asaj detyre. Me thënë të drejtën të gjithë ata që morën fjalën folën me respekt që ju mund të bëni më të mirën në atë detyrë. Uroj që të keni deri në fund atë besnikërinë që ju karakterizon për shtetin e respektin për ligjin.

Bajram Begaj: Për ushtarakun, nderi detyra dhe atdheu janë motoja e punës, kështu që do i përmbushë me sukses dhe do të jem 24 orë në 7 ditë të javë në shërbim të kësaj motoje.