Berisha konfirmon: Opozita nesër në Kuvend por "do votojmë kundër Presidentit të zgjedhur nga Edi Rama"

Kryetari i PD-së, Sali Berisha deklaron votën kundër të grupit parlamentar demokrat ndaj kandidaturës së mazhorancës për President të Republikës që do të votohet pasditen e së shtunës (4 qershor 2022) në Kuvend

"Ne nuk I njohim të drejtë legjitime EdI Ramës për të propozuar presidentin e Republikës, duke pasur parasysh masakrën zgjedhore që bëri me armatën e patronazhistëve. Rama zgjodhi lojën me kukulla e pseudoopozitë, që mund të quhet shpifësirë politike e neveritshme.

Edi Rama nesër do të quhet Aleksandër Lukashenko bis. Me marrjen e presidencës ai shkon në pushtet absolut.

Është detyrë urgjente e opozitës së vërtetë, PD-së dhe aleatëve të saj të japë përgjigjen më të merituar dhe në kohë të shkurtër. Ne do jemi aty dhe do të votojmë kundër"

Komentit te gazetareve se Dvorani është një emër i vlerësuar nga SHBA, Berisha tha se Presidenti nuk zgjidhet per ndonje shtet te SHBA por per Shqipërinë.

Sali Berisha:  “Presidenti nuk zgjidhet këtu për ndonjë shtet të SHBA apo ndonjë shtet tjetër, por për Shqipërinë. Nëse ka një gjykatës që simbolizon korrupsionin dhe konfliktin e interesit më shumë se kushdo tjetër që unë njoh në drejtësie, është Dvorani i qeverisë”

Bordi 

Berisha kërkoi t’i jepet fund menjëherë, veprimtarisë së Bordit të Transparencës së Karburanteve, pasi në kushtet kur çmimi i naftës në Shqipëri njeh rritje të pakrahasueshme me vendet e tjera, nuk është tjetër përveçse një vegël që kontrollon tregun për llogari të qeverisë.

Berisha : “Qytetarët vetëm paguajnë çmimin e këtyre organizmave korruptive qeveritare të ngritura me qëllimin e vetëm për të diktuar çmime stratosferike dhe vjedhur qeveria sa më shumë me klientelën e vendit. Kërkoj ndërprerjen urgjente të veprimtarisë së tyre, kërkoj dhe u bëj thirrje anëtarëve të bordit të japin dorëheqjen menjëherë, të mos shndërrohen në një vegël antikushtetuese e një qeverie që me vendimet e saj është njohur tashmë universalisht  si organizatë kriminale.”

Genocidi

“Ekzekutim për së dyti”. Kështu e ka cilësuar ish-kryeministri Sali Berisha qëndrimin e qeverisë për të refuzuar rezolutën për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë. Berisha deklaroi se ky akt i Edi Ramës dëshmon qartë se Tirana po kthehet në një Beograd të vogël, ku interesat çnjerëzore të Beogradit janë përparësi e qeverisë së socialistëve.

Berisha: “Refuzimi nga qeveria aktuale pseudomaxhoranca aktuale për të denoncuar gjenocidin serb në Kosovë është akt makabër anti-kombëtar. Është përdhosje. Ekzekutim për së dyti i mbi 10 mijë fëmijëve, grave dhe burrave të cilët u masakruan në suazën e operacionit Patkoi. Që kishte për qëllim dhunën masive, masakrat dhe përzënien masive të shqiptarëve nga Kosova. Ky akt i Edi Ramës dëshmon qartë se Tirana nuk është gjë tjetër përveçse një Beograd i vogël. Interesat çnjerëzore të Beogradit janë preference dhe përparësia e qeverisë e Tiranës. Kjo situatë po shkon drejt një drame të vërtetë. Nuk ka patriot shqiptar. Nuk ka qytetar të vërtetë shqiptar që mund të pranojë rreshtimin e Tiranës me Beogradin në qëndrim ndaj gjenocidit serb në Kosovë. Një qëndrim të tillë mbajti Edi Rama dhe tre javë më parë për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë”