PS ka gati emrin e Presidentit, vuloset në 17:00 në kryesi
Kryesia e Partisë Socialiste do të vendosë sot për kandidatin që do ti propozojë parlamentit për ta votuar në detyrën e presidentit. Sekretari i Përgjithshëm i PS Damian Gjiknuri shprehet se është opozita që nuk shfrytëzoi mundësinë për të gjetur një emër konsensual.
Fatkeqësisht preferuan më shumë konfrontimin para mediave, nje diplomaci megafoni sesa negociata konkrete.
Në tryezën e kryesisë e më tej të grupit palrmentar do jenë emrat e dalë nga zarfat e socialistëve por edhe të tjerë.
”Natyrshëm është marrë opinioni i deputetëve e patjetër grupi negociator dhe kryetari i partisë ka zhvilluar konsultime të ngushta lidhur me profilin e duhur” tha Gjiknuri në një prononcim për median paraditen e sotme.
Taulant Balla nga ana e tij nuk pranon të komentojë emra.
Pyetje: Majlinda Bregu apo Ardian Dvorani?
Taulant Balla: “Mos hyni për diskutimin e emrave edhe për pak orë. .. Një koleg me pyeti për Gramoz Ruçin ju më pyesni për Fatos Nanon. Natyrshëm që këta dy emra për mua janë gjithmonë emra që e meritojnë te jenë president të republikës, por duhet të jemi shumë korrekt në atë që transmetoni ju si lajm.
Ashtu si Balla, edhe Gjiknuri u tregua i rezervuar për të dhënë emra por nga përgjigjet e tyre duket që ata tashmë e kanë gati vetëm pritet që pasi ta zyrtarizojnë në mbledhjen e kryesisë së PS-së që do të mbahet në orën 17:00 do ta bëjnë dhe publike.
“Do të jetë kandidat dinjitoz që do ta kryejë detyrën shumë mirë jo si ky që keni parë ndër vite“ tha Gjiknuri.
Në tre raundet e para as opozita e as mazhoranca nuk propozuan emra. Ndërsa në raundin e katërt presidenti zgjidhet me 71 vota. pavarësisht kësaj selia rozë ka deklaruar se do të kërkojë mbështetjen me më shumë se 80 vota.

