Shqipëria strehoi afganët, Rama nderohet me çmimin "Joan Ganz Cooney Global Leadership", fjalimi i tij duartrokitet
Kryeministri shqiptar Edi Rama është vlerësuar me një çmim nga një organizatë jo qeveritare në Neë York për shkak të angazhimit të Shqipërisë për të pritur në vendin tonë afganët e kërcënuar nga talebanët. Në fjalën e tij, kreu i qeverisë u shpreh i keqardhur për të gjitha vendet perendimore që u thanë jo qytetarëve afganë në nevojë.
Edi Rama: "Ajo çka duhej të ishte rregulli, është përjashtim. Më duhet t’ju them, duke qenë se jemi këtu pas dyerve të mbyllura e nuk na dëgjon kurrkush, se ajo çfarë ndjeva përballë kaq shumë hezitimi dhe kaq shumë refuzimesh që vinin nga vende mjaft më të pasura për t’iu hapur dyert afganëve ka vetëm një emër: “Turp”.
Rama tregoi në SHBA që humaniteti i shqiptarëve ndaj miqve në nevojë është i shkruar në Kanun.
Edi Rama:"Përgjigjen e kësaj pyetjeje e gjejmë në historinë tonë, që është një histori mikpritjeje, një histori respekti karshi njerëzve në nevojë, një histori e mishëruar në kushtetutën tonë të parë, kodin e shqiptarëve, ku shkruhet: “Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut”.
Për të dhënë shembullin e besës shqiptare kryeministri solli në vëmendje një marrëveshje të firmosur mes përfaqësuesve fetarë në vendin tonë dhe regjimit nazist.
Edi Rama:"Ne jemi një vend ku myslimanët dhe të krishterët bashkëjetojnë me respekt të plotë për njëri-tjetrin. katër udhëheqësin fetarë u thirrën në Berlin dhe iu kërkua të nënshkruanin një marrëveshje me Rajhun e Tretë, që kishte dy pika: të lejonin regjimin nazist të merrte floririn shqiptar, që asokohe gjendej në bankën e Romës dhe të bashkëpunonin me regjimin nazist për të kapur hebrenjtë. Ata dhanë firmën për floririn, por nuk e dhanë për hebrenjtë"
Shqipëria mori përsipër që të strehojë përkohësisht në vend afganët që u rrezikohej jeta e tyre në shtetin e tyre.
Në ceremoni kryeministri Edi Rama shoqërohej nga bashkëshortja Linda Rama dhe djali i tij Zaho.


