Durrës/ Kompanitë kërkojnë kompensim për qindra mijëra pula të ngordhura

Mijëra pula u asgjësuan pasi gripi i shpendëve preku vendin tonë disa javë më parë.

Vetëm në dy kompani në Durrës, Aiba dhe Hajg dëmi ka qenë me rreth 387,278 krerë pula dhe 540,410 kokrra vezë të asgjësuara.

Të gjendur përballë këtij dëmi, kompanitë e prekura thanë se pavarësisht se kanë kryer të gjitha procedurat për kompensim ende nuk ka pasur asnjë përgjigje nga institucionet.

"Kërkojmë të kompensohemi sa më shpejt me qëllim të nisim procesin e ciklizimit dhe ripopullimin e kapanoneve. Deri tani ende nuk ka një grup ekspertësh për vlerësimin e dëmeve. Duam dëmshpërblim pasi jemi shumë në rrezik"

Edhe shoqata e shpendrritësve në Durrës, u bëri apel institucioneve që sipas ligjit të kompensojnë kompanitë e prekura.

Dëmi nga gripi i shpendëve besohet të jetë shumë herë më i madh pasi mijëra pula dyshohet të kenë ngordhur nëpël oborret shtëpiake, dhe në kompani të tjera.