Liverpool, Luis Diaz gjen ngushëllim te…Toni Kroos

Luis Diaz është një nga surprizat më të ëmbla të Liverpoolit pavarësisht dështimit të skuadrës së kuqe në finalen e Champions dhe Premier League.
Kolumbiani i transferuar në muajin janar nga Porto për 45 milionë euro konsiderohet një investim i zgjuar nga Jurgen Klopp që ka nisur ta aktivizojë në vazhdimësi. Edhe në finalen e Parisit, Diaz e nisi ndeshjen që nga minuta e parë ndërsa në fund pati mundësinë të takonte një nga idhujt e tij, Toni Kroos.
Pavarësisht faktit se gjermani luajti një ndeshje brilante për 90 minuta duke i dhënë një dorë të madhe Realit për të thyer Liverpoolin, lojtari kolumbian sigurisht që e vlerëson mesfushorin për inteligjencën futbollistike që ai shfaq në fushën e lojës. Diaz është aq i fiksuar me lojtarin gjerman sa edhe qenin e tij e ka quajtur Toni Kroos.
Ishte viti 2014 kur ai e mori kafshën në shtëpi dhe në po atë vit, Kroos fitoi Botërorin me Gjermaninë duke lënë mbresa te sulmuesi i Liverpool, i cili nuk e ka fshehur asnjëherë admirimin për gjermanin. Pas finales, i mundur nga Kroos, Diaz ka mundur të gjejë ngushëllim te një tjetër Toni, miku i tij me katër këmbë.
