Vllaznia, Josa beson te skuadra, Gurishta bën “kapitenin” dhe kërkon sforcimin e fundit

Trajneri Mirel Josa kërkon me çdo kusht fitoren në finalen e Kupës së Shqipërisë kundër Laçit të martën në “Air Albania Stadium”. Trajneri kryeqytetas i skuadrës shkodrane vë theksin në rëndësinë që ka kjo sfidë për klubin dhe tifozët e lojtarët pasi momentalisht skuadra është jashtë zonës europiane.

“Është një detyrim që kemi ne karshi klubit. Edhe pse kam qenë në drejtim të Laçit për një pjesë të konsiderueshme të sezonit, situatat në futboll janë të tilla. Siç na duhet ne ta fitojmë, këtë kërkon edhe kundërshtari. Duhet të plotësojmë objektivat që ka klubi pasi në këtë moment jemi jashtë Europës.

Nuk kemi menduar shumë për Kupën dhe kemi shpenzuar shumë edhe në fund të sezonit. Kemi punuar mirë dhe tani duhet të mendojmë për ndeshjen e fundit që është shumë e rëndësishme. Më intereson më shumë gjendja e skuadrës time dhe sa do të jemi në gjendje të përballemi me një skuadër shumë solide si Laçi.

Nuk dua të analizoj se çfarë gabimesh ka bërë Vllazia në të shkuarën. Jam i fokusuar te puna por do të marr përgjegjësitë për punën time që në momentin që kam ardhur në drejtimin e kësaj skuadre. Futbollistët duhet të kenë presion kur futen në fushën e blertë dhe ky presion duhet të jetë sportiv. Tifozët nuk kanë nevojë për thirrjet e mija që të vijnë në Tiranë”.

Ndërkohë, kapiteni Erdenis Gurishta thekson qëndrimin e trajnerit dhe shprehet i bindur se skuadra nuk do të zhgënjejë në fushën e stadiumit të kryeqytetit pasi përndryshe ky sezon do të ishte një dështim i vërtetë.

“Është e vërtetë që Air Albania ka qenë fatësjellës për ne, por finalja e sezonit të kaluar ishte një ndeshje tjetër dhe ishim më të qetë. Kjo finale na mundëson jo vetëm Kupën por edhe hyrjen në Europë.

Kemi mundësi të korrigjojë gabimet e bëra në kampionat dhe të sigurojmë Europën. Sigurisht që skuadra është gati. Besoj se do të jemi në gjendjen më të mirë në fushën e lojës dhe besoj që Kupa do të vijë në Shkodër. Ndeshja e parë e fituar 5-3 ndaj Laçit ishte shumë pozitive por kjo është një ndeshje tjetër sepse bëhet fjalë për një finale ku vendosin episodet.

Guindo? U shpall me meritë golashënuesi më i mirë i sezonit por ne duhet të mendojmë për veten tonë.  Me vjen mirë për Krymin që ka siguruar një kontratë jashtë Shqipërisë, por objektivi jonë mbetet kupa dhe në këtë mënyrë edhe Krymi mund të largohet në mënyrën më të mirë”.