Courtouis “thumbon” tifozët e Chelsea në Angli: E meritoj këtë sukses!
Nuk kishte arritur asnjëherë në një nivel të tillë por Thibaut Courtouis nuk shfaqi asnjë grimcë emocioni gjatë gjithë ndeshjes.
Njeriu i finales së Parisit tregohet modest edhe përpara kamerave duke e pranuar se kjo është një fitore që kurorëzon punën e madhe që ka bërë gjatë gjithë viteve të fundit.
Ai thekson se gjatë periudhës kur ka veshur fanellën e Chelseat, njerëzit nuk e kanë respektuar por tashmë ka arritur të bindë edhe më skeptikët se është një nga më të mirët e planetit.
“Pashë shumë kritika edhe pas një sezoni të mrekullueshëm. Jam vërtet krenar për ekipin dhe mendoj se kam bërë mirë pasi isha atje kur skuadra kishte nevojë për mua. Mundëm ekipet më të mira të botës në këtë rrugëtim. Lojtarët e Liverpool luftuan deri në fund në Premier League ndërsa fituan dy kupa por ne gjithashtu zhvilluam një ndeshje shumë të mirë. Patëm një rast të pastër dhe e shfrytëzuam”.
