"Duhet të ndiqen penalisht” Xhixho: Kemi depozituar në SPAK kërkesë për informacion për tre zyrtarë të lartë

Deputetja Erisa Xhixho, ka bërë me dije se ditën e sotme(30 Maj) kanë depozituar kërkesë në SPAK për informacione për tre zyrtarë të lartë të shtetit, pasi sipas tyre kanë  ndërhyrë te incineratorët dhe që duhet të ndiqen penalisht.

Në një intervistë për Ora News, me gazetarin Everest Dedaj, Xhixho tha se  kanë kërkuar informacione për Engjëll Agaçin, Erion Veliajn dhe Armando Subashin.

Ajo thotë se këto tre të fundit kanë shkaktuar dëme miliona euro në buxhetin e shtetit.

Erisa Xhixho: Sot kemi depozituar kërkesë për informacion pranë SPAK, pikërisht për tre zyrtarë të lartë të shtetit, që vlerësojmë që në të tre incineratorët, kanë shkaktuar dëme dhe pa dyshim duhet të jenë në ndjekje penale.

Kemi kërkuar, rolin e Engjëll Agaçit, i cili me një VKM  ka kontraktuar këtë kontratë konsensioni edhe pse APP ka bërë të ditur që negocim pa shpallje nuk ka në ligjin e konsensioneve. Pavarësisht dijenisë së zotërisë në fjalë për këtë shkelje ligjore ai ka vazhduar me lidhjen e kontratës, dhe i dimë më pas pasojat e incineratorit të Elbasanit që praktikisht nuk funksionon dhe është një dëm rreth 23 milionë euro buxhetit të shtetit dhe taksat e qytetarëve.

Ndërkohë për incineratorin e Fierit, edhe pse kemi Zotin Koka apo Bllakon që janë në ndjekje penale, përsëri një rol kyç në depozitimet që kemi bërë pranë SPAK, ka dhe kryetari i Bashkisë, Armando Subashi, i cili ndryshoi vendodhjen e incineratorit, duke shkaktuar 46 milionë euro shtesë përveç 28 milionë euro që ka kushtuar incineratori i Fierit.

Nga ana tjetër për incineratorin  e Tiranës, ne vlerësojmë që roli i kryetarit të Bashkisë, Erion Veliaj në dhënien e një vendimi pa miratimin e Këshillit Bashkiak por edhe Këshillave të qarkut, ka sjellë një dëm prej 128 milionë euro.  Prandaj ne kemi kërkuar informacion korrekt, pa cenuar hetimin apo gjithë procedurat hetimore të SPAK.

Më tej ajo u shpreh se SPAK duhet të kishte vepruar para zgjedhjeve të 25 prillit, ndërsa shtoi se vjedhja që është bërë te incineratorët nuk mund të fshihet.

Erisa Xhixho: SPAK ka bërë veprime, po ne kërkojmë hetime akoma më të mëdha. Do donim një veprim para zgjedhjeve të 25 prillit nga SPAK duke qenë se depozitimi i kallëzimit penal nga LSI, ka  ndodhur një vit para. Frika e Ramës dhe kjo mega-aferë që në fakt është një vjedhje aq e madhe nuk ka asnjë mundësi për t’ u fshehur, apo për t’u manipuluar.