Tenderat e Veliajt konkurrencë formale, 6 kompani japin të njëjtën shumë oferte
Agjencia e Parqeve dhe Rekracionit ka realizuar tenderin ku ajo qe vihet re janë ofertat e njëjta nga subjektet që dhe këto të fundit konkurrojnë pothuajse në të gjitha tenderat. Ofertat e njëjta kanë bërë që fituesi të zgjidhej me short.
Agjencia e parqeve dhe rekreacionit në Tiranë do të japë rreth 1.6 milionë lekë për reabilitimin e parkut të liqenit artificial.
Në dokumentin zyrtar, Agjencia e Prokurime Publike bën të ditur fituesit në pesë prokurimet, bashkë me pjesëmarrjen e subjekteve që kanë kërkuar të realizojnë investimin.
Por ajo qe vihet re në këto lote janë ofertat identike të kompanive.
Në lotin e 7 ku parashikohet mbikëqyrja e punimeve për ndërtimin e rrugëve të brendshme fondi i parashikuar nga bashkia e Tiranës shkon në 434 mijë lekë.
Të gjashtë kompanitë pjesëmarrëse në garë çuditërisht kanë dhënë ofertën e 377.927 lekë.
Sipas dokumenteve zyrtare tre kompani janë skualifikuar për shkak të kritereve, teksa fituesi është shpallur me short.
E njëjta panorame paraqitet dhe në “Rikualifikimin e këndit të forcës”.
Për fondin prej 262 mijë lekësh konkurrojnë 6 subjekte ndërsa rezulton se 5 prej tyre kanë ofruar shumën identike 203.306 leke.
Edhe këtu po ashtu autoriteti ka vendosur që fituesin ta përcaktojë me short.
Edhe në tre prokurimet e tjera vërehet e njëjta situatë me shuma identike ofertë.

