Presidenti i socialistëve
Seanca e radhës (30 maj 2022) për zgjedhjen e Presidentit përfundoi pa asnjë të re. Para deputetëve as opozita as mazhoranca nuk testuan asnjë emër për të marrë 84 vota.
Fati për zgjedhjen e Presidentit të Republikës do të vendoset të martën (31 maj), datë për të cilën socialistët kërkuan mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve menjëherë pasi raundi i tretë dështoi pa një emër. Madje Taulant Balla u shpreh se pret që brenda pak ditëve procesi të mbyllet.
Taulant Balla: "Nesër rreth mesditës, ora 14:00 do kemi mbledhje të konferencës së kryetarëve. Unë shpresoj që raundi i katërt të jetë përfundimtar për zgjedhjen e presidentit"
Për mediet Balla shpresoi për gjetjen e një konsensusi me opozitën.
Taulant Balla:"Për të siguruar një mbështetje sa më të gjerë. Nuk është e thënë që presidenti edhe në raundin e katërt të zgjidhet me më shumë se 84 votave"
Në tre raundet e para ka qenë Enkelejd Alibeaj i cili ka kërkuar që të marrë të drejtën e propozimit të një emri. Madje në mbledhjen e deputetëve demokratë ai konkludoi me 8 emra, por pa gjetur konsensusin e PS. Pas djegies së raundit të tretë ai akuzon PS për njëanshmëri.
Megjithatë të dy kampet e PD kanë deklaruar se nuk do të bojkotojnë procesin, ndërsa votimi i fshehtë do të jetë dhe test për të parë nëse deputetët e opozitës do të kalojnë te propozimi i PS.
Për të shkuar deri në raundin e katërt, që fati i Presidentit të ri të varet vetëm nga PS, Edi Rama vendosi në tavolinë rregullat negociuese.
Përjashtoi nga ky proces Sali Berishën dhe deputetët demokratë që e mbështesnin, atë duke i dhënë kredibilitet politik Enkelejd Alibeajt, i cili në fund nuk arriti të bindë jo vetëm negociatorët socialistë por as kolegët e tij brenda selisë blu që të bashkoheshin në një emër.
FOTO: LSA









