Ndarja nga jeta e Nishanit, Alibeaj: Shqipëria humbi një njeri të paqtë, dhe një shtetar të urtë

Enkelejd Alibeaj ka shprehur mesazh ngushëllimi për vdekjen e ish-presidentit Bujar Nishani.

Në një postim që ka bërë në rrjetet sociale, Alibeaj shprehet se kontributet e Nishanit në ndërtimin e shtetit shqiptar shënuan hapa pozitivë në çdo detyrë publike që iu besuar.

Enkelejd Alibeaj: Lajm i trishtë, për familjen, miqtë dhe kolegët, ai i ndarjes së parakohshme nga jeta e Presidentit Nishani! Kontributet e tij në ndërtimin e shtetit shqiptar shënuan hapa pozitivë në cdo detyrë publike që iu besua e ku shërbeu me dinjitet, si deputet, ministër dhe President. Shqipëria humbi para kohe një njeri të paqtë, një opozitar të vendosur dhe një shtetar të urtë! I qoftë dheu i lehtë e zoti iu dhëntë forcë bashkëshortes, fëmijëve e të afërmëve! Iu prehtë shpirti në parajsë!

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ndërroi jetë të shtunën në Gjermani, ku po trajtohej për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Ish presidenti Nishani vuante prej kohësh nga një sëmundje auto-imune dhe gjendja e tij u rëndua nga pasojat e COVID-19.

Bujar Nishani shërbeu si president i Shqipërisë nga viti 2012 deri në vitin 2017.

I lindur në Durrës më 29 shtator të vitit 1966, ai mbaroi studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbeu” në Tiranë, në vitin 1988. Në vitin 1996 përfundoi studimet pasuniversitare në Kaliforni, ndërsa në vitin 2004, përfundoi studimet për Jurisprudencë në Universitetin e Tiranës. Një vit më pas mori titullin “Master”, në Studimet Evropiane në këtë universitet.

Zyrtar i lartë i Partisë Demokratike ai shërbeu si ministër i Mbrojtjes, ministër i Drejtësisë dhe ministër i Brendshëm para se të zgjidhej president.