Abuzuan me tenderin 7 mln lekë, dënohen ish- zyrtarët e bashkisë Durrës
GJKKO ka dënuar me burgim zyrtarë të Bashkisë së Durrësit, administratorë, ortakë dhe punonjës të shoqërive që morën pjesë në tenderin prej 70 milionë lekësh të bashkisë.
Konkretisht në burg u lanë shtetasit Adriatik Velaj, Muhamet Likazhiu, Artan Taho, Pastriot Beqaraj, Indrit Matmuja, Gjergj Markola, Riza Sulaj, Lulzime Rami dhe Albion Bushi, ndaj të cilëve rëndojnë një sërë veprash penale.
Operacioni i SPAK që u finalizua në 29 tetor të vitit të kaluar. Arrestimi i tyre nisi pas tenderit të zhvilluar nga Bashkia Durrës, në periudhën maj – qershor 2020, me vlerë të fondit limit prej 7 083 000 lekë (pa TVSH), (7 milionë lekë) ku janë evidentuar shkelje ligjore, të kryera nga shtetasit Adriatik Velaj, Muhamet Likazhiu dhe Artan Taho, me cilësinë e anëtarit të grupit të specifikimeve teknike dhe përllogaritjes së vlerës së fondit limit, pranë Bashkisë Durrës, të cilat formojnë elementët e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”.
Gjithashtu është krijuar dyshimi i arsyeshëm se, shtetasit Albion Bushi, E.R., Lulzime Rami dhe Riza Sulaj, administratorë, ortakë dhe punonjës të shoqërive R&R Group sh.p.k. dhe Klosi – R Company sh.p.k., kanë konsumuar veprën penale të “Falsifikimit të dokumentave” në bashkëpunim, parashikuar nga neni 186 paragrafi i dytë i K.Penal, duke dorëzuar dokumenta të falsifikuara në kuadër të kësaj procedure prokurimi.
Si rezultat i këtij operacioni, GJKKO ka vendosur deklarimin fajtor të Adriatik Velajt, Muhamet Likaxhiu dhe ARtan Taho për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe dënimin e tyre me 1.5 vite burgim, dhe pas përllogaritjes së dënimit të shkurtuar ata do të vuajë gjithsej afro 1 vit burg nga data e ndalimit.
Ndërsa u hiqet e drejta e ushtrimit të funksioneve publike për 5 vite.
Patriot Beqaraj, Gjergj Markola, dhe Indrit Matmuja dënohen për veprën panele të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike.
Ndërsa për Riza Sulajn, Albion Bushin, Lulzime Ramin, dhe Elona Ramin rëndon vepra penale e falsifikimit të vulave, stampave dhe i formularëve, duke u dënuar përfundimisht me 1.5 vite burgim secili.
Ndërsa shoqërive R&R Group sh.p.k. dhe Klosi – R Company sh.p.k., u ndalohet pjesëmarrja në tendera për një periudhë 2 vjeçare.
