Vdekja e Nishanit, Basha mesazh ngushëllimi: PD sot humbi një politikan të përkushtuar!
Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-presidentit Bujar Nishani, në moshën 58-vjeçare.
Basha i shpreh ngushëllime familjes së ish-presidentit, ndërsa thotë se PD ka humbur një politikan të përkushtuar, kontributin e të cilit për të dhe Shqipërinë do ta kujtojë përherë me respekt.
Lulzim Basha: Trishtues lajmi i ndarjes së parakohshme nga jeta të Presidentit Bujar Nishani.
Ngushëllimet më të ndjera familjes, miqve dhe të afërmve të tij. Sot Partia Demokratike ka humbur një politikan të përkushtuar, kontributin e të cilit për të dhe Shqipërinë do ta kujtojë përherë me respekt. U prehtë në paqe!
Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ndërroi jetë të shtunën në Gjermani, ku po trajtohej për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Ish presidenti Nishani vuante prej kohësh nga një sëmundje auto-imune dhe gjendja e tij u rëndua nga pasojat e COVID-19.
Bujar Nishani shërbeu si president i Shqipërisë nga viti 2012 deri në vitin 2017.
I lindur në Durrës më 29 shtator të vitit 1966, ai mbaroi studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbeu” në Tiranë, në vitin 1988. Në vitin 1996 përfundoi studimet pasuniversitare në Kaliforni, ndërsa në vitin 2004, përfundoi studimet për Jurisprudencë në Universitetin e Tiranës. Një vit më pas mori titullin “Master”, në Studimet Evropiane në këtë universitet.
Zyrtar i lartë i Partisë Demokratike ai shërbeu si ministër i Mbrojtjes, ministër i Drejtësisë dhe ministër i Brendshëm para se të zgjidhej president.
