“I shërbeu vendit me përkushtim”/ Nikolla, mesazh ngushëllimi për vdekjen e Nishanit

Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka shprehur sot  ngushëllimet  për ndarjen nga jeta të ish Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.

Nikolla thotë se Nishani i shërbeu vendit me përkushtim dhe për shërbimin e tij do të kujtohet e respektohet nga qytetarët.

“ Me dëshpërim mora lajmin e hidhur për ndarjen e parakohshme nga jeta të ish Presidentit të Republikës, Bujar Nishani.

Si President, deputet dhe në detyra të tjera të larta shtetërore, Bujar Nishani i shërbeu vendit me përkushtim dhe për shërbimin e tij do të kujtohet e respektohet nga qytetarët. Ngushëllime familjes për humbjen e njeriut të tyre të dashur!

U prehsh ne paqe President Nishani!”, shkruan në mesazhin e ngushëllimit Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.  

Ish-presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani, ndërroi jetë të shtunën në Gjermani, ku po trajtohej për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore. Ish presidenti Nishani vuante prej kohësh nga një sëmundje auto-imune dhe gjendja e tij u rëndua nga pasojat e COVID-19.

Bujar Nishani shërbeu si president i Shqipërisë nga viti 2012 deri në vitin 2017.

I lindur në Durrës më 29 shtator të vitit 1966, ai mbaroi studimet në Akademinë Ushtarake “Skënderbeu” në Tiranë, në vitin 1988. Në vitin 1996 përfundoi studimet pasuniversitare në Kaliforni, ndërsa në vitin 2004, përfundoi studimet për Jurisprudencë në Universitetin e Tiranës. Një vit më pas mori titullin “Master”, në Studimet Evropiane në këtë universitet.

Zyrtar i lartë i Partisë Demokratike ai shërbeu si ministër i Mbrojtjes, ministër i Drejtësisë dhe ministër i Brendshëm para se të zgjidhej president.