Ndërron jetë ish presidenti Bujar Nishani
Ndërron jetë ish presidenti i Republikës së Shqipërisë Bujar Nishani.
Lajmi është konfirmuar nga deputetë të PD-së, të cilët kanë mbajtur kontakte me familjarët e ish-Presidentit.
"Nje lajm i hidhur ka pak që u konfirmua; Bujar Nishani , ish-President i Republikes, ministër dhe funksionar në disa poste të rëndësishme të PD në vite, ka ndërruar jetë! Një fatkeqësi për familjen dhe për gjithë demokratët. Respekti ynë për gjithçka dha për PD dhe për vendin, do e shoqërojë kurdoherë!" shkruan Edi Paloka në një postim në facebook.
Pak ditë më parë ai u nis drejt Gjermanisë për të kuruar sëmundjen autoimune të mëlçisë, të cilën ia përkeqësoi COVID-19, por nuk ia doli të mbijetojë.
Nishani fillimisht mori ndihmën mjekësore në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, u dërgua në Gjermani.
Bujar Nishani ishte 58 vjeç dhe ushtroi detyrën e Presidentit të Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri në 24 korrik të vitit 2017. Kuvendi i Shqipërisë e zgjodhi Nishanin President me një shumicë të thjeshtë prej 73 votash nga 140 anëtarë, pa konsensus nga opozita, atëherë PS.
Bujar Nishani ka qenë në moshën 47-vjeçare në kohën e betimi kur u zgjodh si president i Shqipërisë. Ai është personi më i ri i zgjedhur në këtë post. Më përpara ka mbajtur një sërë postesh qeveritare dhe diplomatike. Ai ka qenë ministër i Drejtësisë nga viti 2009 deri në vitin 2011 dhe si Ministër i Punëve të Brendshme nga viti 2011 deri në vitin 2012.
Nishani lindi në Durrës, më 29 shtator 1964. Ai u diplomua në Universitetin Ushtarak Skënderbej në 1988 dhe ndoqi në vitin 1996 studimet master në Shtetet e Bashkuara në Shkollën Pasuniversitare Detare.
Në vitin 2004 u diplomua në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës. Ka kryer masterin për studime evropiane.
Nishani është i martuar me Odeta Nishanin dhe është babai i dy fëmijëve, djalit Ersi vajzës Fiona.
